Mëngjesin e kësaj të mërkure kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat e tij, teksa sikur mos të mjaftonin institucionet, Edi Rama zhvilloi mbledhjen në një restorant në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.
Mbledhja e kabinetit qeveritar ka nisur në orën 09:30 tek restoranti i njohur në zonë përballë Kryesisë së Kuvendit. Që nga ora 9 e deri më tani, ministrat kanë dhënë llogari tek, Rama, ndërsa mësohet se kjo mbledhje sapo ka mbaruar. Pjesëmarrja e mediave nuk u lejua, teksa mësohet se fokusi i këtij takimi ka qenë pandemia dhe procesi i rindërtimit pas tërmetit.
Analiza e 100 ditëve të para të qeverisë, në mandatin e saj të tretë, vjen një ditë pas zhvillimit të Samitit të “Ballkanit të Hapur” që u mbajt në Tiranë, ku morën pjesë presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ku u nënshkruan edhe 5 marrëveshje.
Kujtojmë se Shqipëria kaloi dy gjendje fatkeqësie natyrore në më pak se 4 muaj distancë nga njëra-tjetra, atë të pandemisë dhe tërmetet, që sollën shumë goditje të forta në ekonominë shqiptare. Vlen të theksohet se gjatë periudhës së pandemisë, Shqipëria u detyrua të rrisë nivelin e borxhit publik, teksa njëkohësisht shtoi shpenzimet për sektorin e shëndetësisë, si dhe dyfishoi pagesat e ndihmës ekonomike dhe papunësisë.