Një video e cila mund të rezultojë me rëndësi të veçantë është publikuar mbrëmjen e sotme. Nga studio e “Opinion” gazetarja, Klodiana Lala ka publikuar një sekuencë, ku sipas saj bëhet fjalë për një atentat të dështuar të ndodhur në vitin 2018.
Mirëpo ajo që ka rëndësi është se gazetarja thotë se vrasësi që ndodhet në këtë video ka qenë njësoj i maskuar si ai që vrau avokatin Ravit Gurra në lokalin në qendër të Elbasanit.
“Është një ngjarje e vitit 2018, lidhur me një plagosje në fakt. Automjeti vjen, ndalon këtu, besoj se e kanë dhe qytetarët e Elbasanit e ka dhe policia. Kjo është uniforma që përdorin vrasësit, ka kapuç të zi të ngritur tek pjesa e hundës. Pak a shumë të njëjtën veshje ka patur dhe ekzekutori i avokatit”, tha gazetarja.
Nuk dihet nëse kjo video tashmë është si provë në dorën e policisë dhe nëse janë bërë analizimet e mundshme për të bërë edhe identifikimin e autorit dhe për të vendosur nëse bëhet ose jo fjalë për të njëjtin person. Pasi nëse është kështu rreziku është konstant edhe për persona të tjerë.