Liqeni i Fierzës, i cili është dhe baseni më i madh ujëmbledhës, po shkon drejt tharjes nga mungesa e reshjeve dhe rënia e prurjeve të lumejve.
Niveli i ujit bie çdo ditë drejt 255 metra, thënë ndryshe rreth 40 metra ujë më pak se kuota maksimale ku liqeni ishte në të njejtën periudhë të vitit të kaluar.
As Drini i Bardhë dhe Drini i Zi nuk sjellin më shumë se 170 metër kub ujë në sekondë, ndërsa shkrirja e reshjeve të dëborës nuk pati efektet e pritshme.
Në kuotën 240 metra puna në hidrocentral ndalet, ndërsa nga Ministria e Energjetikës drejtuar nga Belinda Balluku nuk ka sinjale për zgjidhjen e situatës.
Të dhënat e INSTAT për dymujorin e parë të vitit 2019 treguan një rënie me 5.1 % të eksportit të energjisë elektrike, që për vite me radhë ka qenë treguesi kryesor në rritjen ekonomike.
Nga ana tjetër, OSHEE po blen energji për të furnizuar konsumatorët, në një kohë kur ndryshimet klimatike po bëhen gjithmonë e më të theksuara. Vetëm në janar u shpenzuan 30 milionë euro për të përballuar konsumin.
Në këton kushte shpëtimi, mund të vinte nga hidrocentralet e vogla, por ministrja Belinda Balluku vendosi t’i pezullojë.
Ndërkohë, kujtojmë se vitin e kaluar ishte pikërisht eksporti i energjisë elektrike që ndikoi në rritjen mbi 4 për qind të ekonomisë së vendit, por duket se nga janari pikërisht ky sektor do të jetë vendimtar në nivelin e borxhit të Shqipërisë.