Ish-kryeministri Sali Berisha është ndaluar në Kavajë për foltoren e tij të radhës, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për qytetarët “e këtij qyteti heroic” siç e quajti ai. Berisha tha se grupet anti-komuniste të Kavajës u përballën me diktaturën në stadiumin “Besa” dhe themelimi i PD-së e gjeti Krujën bastion të partisë dhe të lirë.
Teksa shpjegoi vonesën e tij në takim, Berisha tha se Edi Rama i bllokoi rrugën, ndërsa e paralajmëroi të heqë dorë nga këto akte të ulëta.
“Vij sot për të shprehur mirënjohjen për qytetarët e këtij qyteti heroik, që u ngrit si vigan, në vitet e diktatures, me thirrjet liri demokraci, dy gishtat e fitores. Çliruan qytetin tuaj nga diktatura, për të mos u dorëzuar më kurrë në kthetrat e saj. Grupet anti-komuniste të këtij qyteti, djem dhe vajza, u përballen me diktaturën në stadiumin ‘Besa’. Në këto përballje dhe në vazhdim të tyre ra për tu bërë i pavdekshëm Josip Guda. Themelimi i PD e gjeti Kavajën bastion të partisë, të lirë. Edi Rama me skuthin e tij të familjes zgjidhi të më bllokojë rrugën për të më vonuar ardhjen këtu. Por unë para jush do ti them hiq dorë nga këto akte të ulëta se në mënyrë absolute do ngujohesh në Surrel dhe s’do zbresësh në zyrën tënde derisa të vendosim ne”, tha Berisha.