Ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Etjon Joka u arrestua nga policia ditën e djeshme. Sot bëhet me dije se ai është lënë në arrest shtëpie nga gjykata.
Kujtojmë se Etjon Joka akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Ai u shpall në kërkim nga policia pasi u shfaq në një video-përgjim duke dhënë para në këmbim të votës, ndërsa dosja i kaloi SPAK .
Njoftimi i policisë për arrestimin e Jokës.
Nga specialistët për Hetimin e Korrupsionit u bë ekzekutimi i vendimit penal, për shtetasin E. J, 32 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Njoftimi i Policisë për shpalljen e Jokës në kërkim:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit E. B., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin E. J., 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës.
Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore.