Taulant Balla ka folur ditën nga qyteti i Fierit në lidhje me nismën e maxhorancës që ka depozituar amendamentin për ndryshimet e Kushtetueses dhe zgjatjen e organeve të vettingut.
Balla ka thënë se vijimi i këtij procesit me të njëjtin standard është një domosdoshmëri dhe sipas tij partitë politike duhet të qëndrojnë larg kësaj.
Ai në deklaratën e tij ka qëndruar në të njëjtën linjë me fjalën që ka mbajtur kryeministri Edi Rama, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë.
“Dje grupi parlamentar i PS ka marrë vendimin për të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nismën e një grupi prej më shumë se 1/5 të anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë për të filluar një procedurë të ndryshimit të Kushtetutës me qëllim që t’i hapim rrugë zgjatjes së mandatit të komisionit të pavarur të kualifikimit dhe të komisionerëve publikë si niveli i parë i procesit të vettingut duke e shtyrë procesin e vettingut, pra nga komisioni i pavarur i kualifikimit deri më 31.12.2024. Duke shtuar edhe 30 muaj të tjerë të cilët besoj se janë të mjaftueshëm për ta përmbyllur procesin e vettingut.
Ashtu sikurse tha edhe kreu i PS sot pas mbledhjes së Kryesisë, kjo është një vijueshmëri e reformës në drejtësi, një çështje sa teknike aq edhe shumë e rëndësishme sepse ruajtja e të njëjtit standard në procesin e vettingut për të vazhduar pastrimin e sistemit të drejtësisë nga ata gjyqtarë apo prokurorë të cilët nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre, nuk kanë përgatitjen e duhur profesionale ose pastërtinë e figurës së tyre, dhe i zbulimit të çdo lloj lidhje kriminale. Vijimi i procesit të vettingut me të njëjtin standard që është vijuar deri më tani është një domosdoshmëri tek e cila ne partitë politike duhet të qëndrojmë larg sepse themeli i reformës në drejtësi ka qenë pikërisht heqja e çdo lloj ndikimi që vinte nga partitë politike”, deklaroi Balla.