Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj ditën e sotme ka deklaruar se Shqipëria është gati për të dalë në Eurobond në fund të muajit tetor për të siguruar një huamarrje që do të sigurojë mbështetje buxhetore. Ajo u shpreh se gjatë mbledhjes së ditës së sotme, është miratuar vendimi për eksportet dhe importet si pjesë e nismës “Open Balkan”.
“Vlera e financuar ka ardhur në rritje por interesi i bondit ka ardhur në ulje. Ndër vite kemi krijuar një ekonomi më të qëndrueshme dhe më të besueshme për tregjet. Jemi gati për të dalë në treg në fund të muajit Tetor. Tregjet kanë pasur problematika për shkak të krizës energjetike apo edhe për shkak të sinjaleve nga ekonomia globale.
Jemi besimplotë që kushtet janë të favorshëm për të dalë brenda këtij viti në Eurobond për një huamarrje për t’u përdorur për mbështetje buxhetore. Kemi miratuar dy projekt vendime të tjera për bashkëpunimin për eksportet dhe importet në Ballkan që lidhet me nisëm “Open Ballkan”. Ka të bëjë me lehtësinë e tregtisë siç edhe thuhet në emrin e tij. Memorandumi vjen si suport i subjekteve që operojnë në Shqipëri dhe tregtojnë në Maqedoni dhe Serbi”, u shpreh Ibrahimaj.
Gjithsesi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj sqaroi për gazetarët në konferencën e përjavshme për mediat se ky ligj pritet të kalojë në parlament për të marrë votat e deputetëve dhe se pritet që së paku në fund të tetorit qevveria shqiptare të emetojë këto eurobonde në tregjet e huaja për të marrë 500-700 milionë euro hua.