Një lajm i trishtë është ndarë ditën e sotme ku mësohet se ka humbur jetën në moshën 59-vjeçare, gazetari i njohur i sportit, Kosta Grillo. Ai nuk ka mundur të fitojë betejën e ashpër me virusin e rrezikshëm Covid-19 dhe për pasojë ka humbur jetën.
Gazetari sportiv Kosta Grillo ishte i infektuar me koronavirus që para disa javësh, ndërsa ishte dërguar edhe në Turqi për të marrë një mjekim më të specializuar, por fatkeqësisht ai nuk arriti t’ia dalë dot t’a mposhtë.
Lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë miku i komentatorit, Ervin Petraq Baku, i cili shkruan se “Vëllai ynë nuk ja doli dot. Të ndrittë shpriti Kosta Grillo”.
Kujtojmë se para disa javësh gjendja shëndetësore e tij nuk ishte aspak e mirë dhe familjarët e tij, miq të njohur dhe kolegë bënë thirrje për ndihmë ku çdokush që kishte mundësi të kontribuonte financiarisht në një numër llogarie të hapur posaçërisht për këtë rast. Trajtimi që ai merrte në Turqi ishte i kushtueshëm duke e bërë kështu të papërballueshme situatën nga familja e gazetarit. Gazetari i njohur i sportit Kosta Grillo u trajtua fillimisht në një spital privat në Tiranë dhe pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ai u nis drejt Turqisë.