Detajet të reja tronditëse janë zbuluar për vrasjen e 19-vjeçares Shejla Bakija në Tuz të Malit të Zi, nga ish-partneri i saj Ilir Gjokaj. Ata ishin ndarë disa kohë më parë, pasi më 26 gusht kjo e fundit kishte bërë kallëzim në polici se ai e këcënonte. Çështja u mbyll vetëm me një gjobë ndaj 28-vjeçarit.
Ngjarja e rëndë ndodhi disa ditë më parë në Karaburçko Polje. Autori i krimit shkoi në banesën e 19-vjeçarjes Shejla Bakija dhe qëlloi me breshëri plumbash këdo që i dilte para. Si pasojë e reja humbi jetën dhe u plagos rëndë i ati i saj.
Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë në dritë edhe detaje të tjera për krimin e rëndë. Mësohet se Gjokaj e ka kërcënuar të renë në shtëpinë e prindërve duke i thënë: “as në qiell as në tokë nuk do të jesh e tjetërkujt”.
Ai u vetëdorëzua në polici dhe tashmë pritet të përballet me drejtësinë për krimin e kryer. Tashmë pritet që ai të merret në pyetje në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë gjatë ditës së sotme.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta dhe dhjetëra qytetarë u mblodhën dje para stacionit policor në Tuz, për të protestuar e për kërkuar drejtësi për 19-vjeçaren.