Konferenca e Kryetarëve ka miratuar ditën e sotme propozimin e kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, për t’i mbajtur fizikisht mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare. Anëtarët e komisioneve duhet paraqesin certifikatën e vaksinimit ose test negative PCR të kryer jo më parë se 48 orë nga dita e mbledhjes.
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me mënyrën se si do të funksionojë rregullorja për mbledhjet e komisioneve parlamentare.
Portali ‘BalkanWeb’ ka zbuluar rregulloren, ku përcaktohet edhe mënyra e sjelljes me median, duke marrë shkas nga rregullat e reja për shkak të protokollit anticovid.
“-Kryetari njofton të pranishmit që në sallën e Komisionit përveç mikrofonave folës të çdo deputeti, ekzistojnë edhe mikrofonet ambientale, të cilat regjistrojnë çdo bisedë tjetër dhe gjithçka është e dëgjueshme në sallën e gazetarëve të katit të parë.
-Kryetari i Komisionit me verifikim të kuorumit të mbledhjes i komunikon specialistit të medias, i cili është prezent në sallë, që të thërrasë median dhe të njoftojë të pranishmit se gazetari kameraman ka të drejtë të fillojë pamjet vetëm 5 minuta.
-Përfaqësuesit e tjerë të medias, (gazetarët) mund të qëndrojnë fizikisht gjatë zhvillimit të mbledhjes së komisionit në vendin e caktuar për ta, në të gjithë kohën e zhvillimit të mbledhjes dhe nuk kanë të drejtë që të lëvizin në sallën e Komisionit.”, thuhet në rregulloren e komisioneve parlamentare.