Avokati Gjon Huli pas seancës së sotme në Gjykatën e Lezhës ka deklaruar se Armando Marku dhe Kristian Sherri nuk kanë pasur lidhje me autorin, Aldi Rama, i cili mbeti i vrarë 4 ditë më parë. Avokati ka deklaruar për mediat se Policia ka pjesën e vetë të fajit për vrasjen, pasi pretendon se policët ishin pa shenja dalluese në uniformat e tyre, dhe ka sqaruar se nëse Marku dhe Sherri do të ishin me Aldi Ramën, do të kishin ikur sëbashku me të dhe nuk do të qëndronin me policët.
E vërteta qëndron se Policia ka pjesën e vet, të fajit pse ka humbur jetën dhe një officer i nderuar. Momenti që ka ndodhur ngjarja, policët kanë qenë pa kurrfarë shenja dalluese. Tani mediat, ju dhe Gjykata e Prokuroria mundohen të mbrojnë veprimet e paligjshme të Policisë së Shtetit, tha avokati Huli.
Sipas avokatit Huli, Pretendimet e organit të akuzës janë se dy të mbrojturit prej nesh kanë kryer veprën penale të moskallëzimit të krimit. Ka ndodhur në mes të policëve, prezent me ta, s’kanë pasur lidhje fare me vrasësin.
Këta që ne mbrojtëm sot, do të kishin ik me atë që vrau policin, por qëndruan me dy policët se kur i mbaruan fishekët u trembën më shumë se këta. Armando Marku dhe Kristian Sherri mund të kishin ikur se ishin djem më të fuqishëm se policët, por ndihmuan që të çojnë policin e plagosur në autoambulancë. Jemi para faktit që të dy nuk kanë kryer vepër penale. S’ka fare lidhje moskallëzimi i krimit. Do e apelojmë.’’- tha avokati.