Skip to content
Kryesore

Zbardhet vrasja e 23-vjeçarit, policia: E mbytën me litar, 4 vrasësit nuk ishin veshur si policë

· 2 min lexim

Policia e Dibrës organizoi këtë të mërkurë një konferencë për shtyp, ku bëri të ditur detaje rreth zbardhjes së vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i vrarë më 8 korrik.

Sipas policisë, Dobra kishte lidhje me një grup kriminal të strukturuar dhe ishte dënuar më parë në Gjermani për shpërndarje të drogës.

Drejtori i Policisë së Dibrës njoftoi se 23-vjeçari u rrëmbye dhe më pas u mbyt me litar, pasi kishte konflikte me katër persona të dyshuar: Petrit Çakëri dhe tre vëllezërit Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, për çështje që lidhen me prishjen e pazareve të drogës.

Në kuadër të operacionit policor “Bashkëfajësia”, me koordinim të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Tiranës dhe Kukësit, janë arrestuar:
• Petrit Çakëri, 55 vjeç, nga Tropoja, kapur në fshatin Golaj të Kukësit, i akuzuar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe “Rrëmbim dhe mbajtje peng”;

• Fatjon Bushgjokaj, 34 vjeç, nga Kamza, arrestuar në zonën e Astirit në Tiranë, për të njëjtat akuza.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim vëllezërit e Fatjonit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, ndërsa vijojnë kontrollet dhe përpjekjet për kapjen e tyre.

Hetimet tregojnë se në mbrëmjen e 8 korrikut në fshatin Zenisht, Burrel, Renis Dobra u mor peng dhe u vra përmes strangulimit me litar. Pas vrasjes, autorët hodhën automjetin e viktimës, së bashku me trupin e tij, në liqenin e Ulzës.

Gjatë rënies nga lartësia, trupi u shkëput nga makina dhe mbeti pranë sektorit “C”, afër liqenit, ndërsa makina përfundoi në ujë dhe u gjet aty.

Viktima, sipas informacioneve të siguruara, kishte pasur mosmarrëveshje me autorët për çështje të lidhura me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet intensive për kapjen e të shpallurve në kërkim dhe finalizimin e çështjes.