Nëna e 21-vjeçarit Aldi Rama ka folur për herë të parë që pasi djali i saj vrau nënkomisarin Saimir Hoxha, dhe më pas humbi jetën pasi u vetëplagos. “Balkan web” shkruan se Valbona Kolgjini është shoqëruar pasditen e djeshme në polici, ku ka dhënë dëshminë e saj.
Ajo ka deklaruar se nuk kishte kontakte me të birin dhe se pas divorcit ai kishte qëndruar në shtëpinë e xhaxhait në Lezhë.
“Me djalin kisha pak kontakte, sepse pas divorcit ai qëndroi në shtëpinë e xhaxhait në Lezhë. Unë shumë pak takohesha me djalin dhe nuk isha në dijeni të asnjë aktiviteti kriminal”, ka treguar ajo.
Ndërkohë, ajo ka thënë shkrutimisht jashtë kamerave ditën e sotme se janë në zi për humbjen e 21-vjeçarit dhe është shprehur shumë e hidhëruar. Por ende nuk dihet nëse ceremonia mortore do të bëhet në Durrës apo në Lezhë nga xhaxhai i tij.
“Ne jemi në zi, më ka humbur djali 21 vjeç. Jemi shumë të hidhëruar”, mësohet të ketë thënë ajo.
Prindërit e 21-vjeçarit Aldi Rama ishin të divorcuar, ndërsa është bërë me dije se i ati i tij ndodhet në burg në Greqi. Ai është dënuar për vrasjen e një personi, të cilin e ka prerë më sharrë. Po ashtu nëna e tij ka jetuar në Greqi dhe ka pasur një martesë me një shtetas grek. Ajo më pas ishte kthyer në Durrës dhe jeton në shtëpinë e motrës së saj.