Një ngjarje e rëndë tronditi Lezhën paraditen e sotme ku një oficer policie u vra me armë zjarri. Saimir Hoxha u vra në krye të detyrës teksa ishte duke kryer kontrolle së bashku me efektivë të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e sotme rreth orës 10:30. Forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë kontrolle nga ajri dhe nga toka për të bërë të mundur arrestimin e 21-vjeçarit Aldi Rama, i cili vrau me armë zjarri mëngjesin e sotëm oficerin e policisë.
Mësohet se policia po ushtron kontrollet me helikopter dhe dron, pasi dyshohet se i riu është fshehur në një zonë me bimësi të dendur, jo shumë larg vendit ku ka ndodhur ngjarja. Arma e zjarrit me të cilën kreu krimin 21-vjeçari ende nuk është gjetur, po ashtu dyshohet se autori e ka atë ende me vete. Kujtojmë se policia e Lezhës ka shoqëruar në komisariat, dy personat që ndodheshin në mjetin tip “Volswagen”, ku ishte dhe pasagjer 21-vjeçari Rama.
Pritet që dy të arrestuarit të zbulojnë detaje të reja për ngjarjen e rëndë, ndërsa uniformat blu, kanë vendosur dhe një shpërblim prej 20 mijë eurosh për cilindo që jep detaje dhe të dhëna në lidhje me vendndodhjen e autorit.