Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët me Albin Kurtit në Kosovë. Lidhur me deklaratat e tij se Kosova bën konspiracion për “Ballkanin e Hapur”, që i bëri gjatë konferencës me Angela Merkel në Tiranë, Rama tha se nuk është cituar si duhet.
Rama u shpreh sërish i bindur se “Ballkani i Hapur” është rruga e përbashkët dhe ka një dallim mes nacionalizmit dhe patriotizmit, sipas tij.
“Nuk më citoni si duhet, dhe meqë ma dhatë dhe njëherë tjetër mundësinë, kam pasur shumë mesazhe edhe të drejtpërdrejta, për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësosht toneve dhe ngjyrimeve, thelbi ishte “po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë”. Tani jam më i bindur që Ballkani i Hapur është edhe më shumë rruga jonë e përbashkët, dhe ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit dhe patriotizmit”, u shpreh Rama.
Kryeministri pranoi edhe mosdakordësitë me Albin kurtin në këtë pikë, por tha se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk ndikohen nga mosdakordësi të kësaj natyre. Rama tha se do të vijë dita kur Serbia do e njohë Kosovën dhe do të kërkojë falje për kirmet e luftës.
“Kemi një mosdakordësi me Albinin në këtë pikë, dhe duhet të themi që është një mosdakordësi politike, marrdhëniet tona nuk ndikohen nga një mosdakordësi e kësaj natyre. Dakordësia jonë është përtej çdo mosdakordësie politike, që është vllazërore dhe kombëtare. Dhe ëndrrën tonë për të jetuar të pandarë si shqiptarë dhe si Europianë, dita kur shqiptarët, por edhe serbët, boshnjakët, malazezët të jenë të pandashëm. Do të vijë edhe dita kur Serbia ta njohë Kosovën, dhe do të kërkojë falje për krimet e luftës. Çfarë do të bëjmë ne shqiptarët për ta afruar këtë ditë, nuk është arsye për ta vënë në pikëpyetje marrëdhënien e përbashkët”, ka thënë Rama.