Disa ditë para nisjes së vitit të ri shkollor është publikuar urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për certifikatën e vaksinimit në institucionet arsimore.
Urdhri përcakton se çdo punonjës i institucioneve arsimore duhet të paraqesë çertifikatën e vaksinimit, ose duhet të testohet çdo javë.
Ndërkohë, para nisjes së vitit akademik, njoftohet se për studentët që nuk do të vaksinohen, do të merren masa për të ndjekur mësimin në forma alternative.
“Institucionet arsimore të identfikojnë personelin e institucionit dhe studentët që kanë depozituar Certifikatën e Vaksinimit Covi-19 apo Kartën e Vaksinimit dhe të raportojnë pranë Institutit të Shëndetit Publik informacion mujor mbi identifikimin e kryer”, thuhet në urdhrin e Ministrisë.
“Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në këtë urdhër bëhet vetëm për rastet që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mosaplikimin e vaksinës”, thuhet më tej.
Gjithashtu kërkohet nga Instituti i Shëndetit Publik që marrë masat dhe të monitorojë mbulimin vaksinal për kategoritë e përmendura në urdhër dhe të raportojë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kujtojmë Komiteti Teknik mori vendimin që vaksinimi në Shqipëri të bëhet i detyrueshëm për disa kategori, ndër to arsimtarët dhe studentët. Ndërkohë, muaji shtator vijon të jetë muaj i hapur vaksinimi për të gjithë qytetarët +18 vjeç.