Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar ditën e sotme në afërsi të autostradës Fushë Krujë-milot. Zjarri ka përfshirë një zonë me shkurre në afërsi të fshatit Gramëz. Fatmirësisht, banesat nuk janë të rrezikuara nga flakët, por tymi i përhapur ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Policia ka kërkuar ndihmë nga forcat zjarrfikëse për shuarjen e flakëve dhe për të bërë të mundur normalizimin e qarkullimit të automjeteve.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është shfaqur në Memaliaj këtë pasdite. Flakët janë përhapur me shpejtësi në një zonë kodrinore me pemë të shumta, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e zjarrit.
Kujtojmë që ditën e djeshme në në Seman të Fierit, një sipërfaqe e madhe toke është përfshirë nga flakët. Gjithashtu një banesë u përfshi nga flakët. Po ashtu vatër zjarri pati edhe në Topojë, ku flakët përparuan drejt zonave të banuara, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme. Edhe një vatër tjetër u aktivizua në Vajkan të Fierit ditën e djeshme.
Zjarret në vendin tonë kanë qenë të shumta edhe pas sezonit të të nxehtit dhe për këtë institucionet nuk kanë marrë ende masa, ndërsa ditë pas dite raportohen vatra të reja aktive, që fatmirësisht nuk kanë rezultuar në pasoja të rënda.