Ish-kryeprokurori Ardiatik Llalla ka munguar ditën e sotme në seancën e tij gjyqësore. Avokati Sokol Hazizaj është prononcuar për mediat jashtë dyerve të GJKKO. Ai ka raportuar për gjendjen shëndetësore të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla sipas të cilit vuan nga një sëmundje e rëndë dhe sipas tij kjo është arsyeja që pse Llalla nuk është paraqitur në Gjykatë.
Mësohet se avokati paraqiti dokumentet dhe se ish-kryeprokurori ndodhet në regjim spitalor, ndërsa i dha trupës gjykuese një ekspertizë që flet për gjendje të renduar shëndetësore të Llallës.
Ndërkohë që Gjykata mori vendimin për shtyrjen e seancës për në datë 22 shtator. Bëhet e ditur se seanca do të mbahet në orën 13:00.
Llalla u denua nga Shkalla e Parë me 2 vite burg dhe disa pasuri iu sekuestruan dhe i kaluan shtetit me akuzën e deklarimit dhe fshehjes së pasurisë. 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës iu morën ish-kryeprokurorit. Po ashtu Llalla u dënua që për 5 vite mos kryejë asnjë funksion publik. Ai e ankimoi këtë vendim dhe tashmë pritet vendimi i Apelit.
Sa i përket çështjes, avokati theksoi se pret një reflektim nga Gjykata e Apelit pasi Shkalla e Parë nuk pranoi provat e tyre dhe vazhdimin në themel të çështjes.