Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Lushnjes. Të shtëna më armë janë dëgjuar pak më parë në pedonalen e qytetit, ndërsa raportohet për një viktimë dhe të disa plagosur.
Sipas raportimeve të para, disa persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të një lokali. Paraprakisht është bërë me dije se një person ka mbetur i vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur. Viktima mësohet të jetë pronari i lokalit, Bledar Muçaj , 40 vjeç, ndërsa tre të tjere janë plagosur.
Në momentin që është qëlluar në drejtim të lokalit, aty ka pasur edhe qytetarë të tjerë. Ndërkohë, policia ka mbëritur në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve, të cilët janë larguar në drejtim të paditur. Deri tani dihet se në drejtim të lokalit është qëlluar nga një automjet tip “Golf”. Nuk dihet ende arsyeja e atentatit, apo nëse viktima ka pasur konflikte të mëparshme që mund të kenë çuar në vrasjen e tij mbrëmjen e sotme.
Po ashtu në vendin e ngjarjes ka mbërritur ambulanca, e cila ka marrë të plagosurit, ndërsa siç duket edhe në videon e publikuar nga Balkan Web, gjendja është kaotike dhe njerëzit shihen duke vrapuar.