Qyteti i New York e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin ndaj Covid-19 për mësuesit dhe stafin e shkollave publike. Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se një nismë e tillë do të jetë shtysë që më shumë njerëz të vaksinohen, për të parandaluar përhapjen e variantit Delta.
Departamenti shëndetësor i qytetit do të urdhërojë që të gjithë 148,000 anëtarët e stafit në distriktin më të madh shkollor të Shteteve të Bashkuara të kenë të paktën një dozë vaksine deri më 27 shtator, tha de Blasio.
Ndërsa shkolla pritet të fillojë në 13 shtator, stafi i Departamentit të Arsimit nuk do të ketë më opsionin për t’iu nënshtruar testimit javor.
“Ne duam që shkollat tona të jenë jashtëzakonisht të sigurta gjatë gjithë vitit”, tha de Blasio në një konferencë shtypi.
Njoftimi i kryebashkiakut pasoi lajmet të hënën se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave i kishte dhënë miratim të plotë vaksinës Pfizer. Menjëherë pas njoftimit të FDA -së, Pentagoni tha se po përgatitej ta bënte vaksinën të detyrueshme për personelin ushtarak amerikan.
Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë presin që miratimi i plotë i agjencisë gjithashtu do të nxisë më shumë qeveri shtetërore dhe lokale, si dhe punëdhënës privatë, të imponojnë mandate vaksine.
Punonjësit e shkollës në Çikago, Los Anxhelos dhe shtetin e Uashingtonit gjithashtu janë urdhëruar të marrin vaksinën. Meisha Porter, kancelare e shkollave publike të qytetit të New York, tha se të paktën 63% e punonjësve tashmë ishin vaksinuar kundër COVID-19.
Këtë muaj, New York kërkoi gjithashtu dëshmi të vaksinimit COVID-19 për të hyrë në restorante, palestra dhe biznese të tjera. Vendimi shkaktoi reagime të ashpra nga disa pronarë biznesi dhe banorë që paditën de Blasio-n. Vendimi i fundit gjithashtu mund të përballet me rezistencë nga sindikatat që përfaqësojnë mësuesit dhe stafin e qytetit të New York.