Brenda javës në vendin tonë do të vijnë rreth 1000 afganë. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën spanjolle El Periodico.
Në Rinas janë ngritur disa çadra ushtarake ku ka staf mjekësor, forca ushtarake dhe psikologë për t’i kontrolluar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe psikologjike. Tirana dhe Durrësi do të jenë dy qytetet ku do të strehohet grupi i parë me 300 afganë. Në Durrës do të strehohen në disa hotele, ndërsa në Tiranë do të vendosen tek konviktet e Qytetit Studentit. Qytetarët afganë që do të strehohen në vendin tonë kanë punuar gjatë këtyre viteve me SHBA-në dhe NATO, si dhe aktivistë dhe mendohet se do të jenë shënjestra e hakmarrjes talebane, pasi këta të fundit morën pushtetin, prandaj largimi i tyre është parë si emergjente.
“Do vijnë rreth 1 mijë këtë javë. Ne e morëm këtë vendim sepse nuk mund të qëndronim të palëvizshëm përballë rrezikut të madh dhe dëshpërimit të atyre që po përpiqen të ikin. Është një mesazh solidariteti që ne duhet t’u përcjellim fëmijëve tanë. Azilkërkuesit afganë do të fillojnë të mbërrijnë në Shqipëri këtë javë nëpërmjet fluturimeve të operuara nga SHBA”, tha Rama në një intervistë telefonike për gazetën spanjolle.
Sipas kryeministrit, në Shqipëri do të mbërrijnë gazetarë, punonjës social, mësues dhe bashkëpunëtorë të trupave diplomatike amerikane.
Më tej, media spanjolle shkruan se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të vogla në Europë të cilat kanë pranuar të strehojnë refugjatët që largohen nga Afganistani.
Të parët që do të mbërrijnë ka thënë Rama do të jenë aktiviste, gazetare, edukatore.
“Do të jenë aktiviste, gra, gazetare, edukatore dhe njerëz që kanë punuar për Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Njerëzit që besuan në ne, punuan me ne dhe u frymëzuan nga vlerat dhe parimet tona”, thotë Rama, ndërsa shpjegon se para kërkesës së SHBA, kishte filluar të punonte me “dy shoqata humanitare amerikane”, emri i të cilave nuk është bërë publike “për arsye sigurie”.
Krahas Kosovës dhe Shqipërisë, edhe Maqedonia e Veriut ka pranuar strehimin e afganëve në vendin tonë. Ditën e djeshme, Ministri i Jashtëm i Greqisë, deklaroi se vendi i tij nuk mund të bëhet sërish portë pritëse për refugjatët nga Afganistani.
Kujtojmë se nga momenti në moment pritet që në vendin tonë të mbërrijnë rreth 300 afganët e parë, të cilët do të strehohen në hotele dhe konvikte të Tiranës dhe Durrësit.