Lionel Messi i dha sot lamtumirën Barcelonës mes lotëve, pasi klubi nuk ishte në gjendje të rinovonte për shkak të rregullave të La Ligas. Ai mori duartrokitjet e shumta të lojtarëve katalanas e gazetarëve që ishin mbledhur në konferencën për shtyp, dhe menjëherë më vonë dha një mesazh në rrjetet sociale. “Kjo nuk është një lamtumirë, por një shihemi më vonë”, shkruan Messi në rrjetet e tij sociale, duke i lënë gjithmonë derën e hapur një rikthimi në Barcelonë.
Duke ndarë fotot nga konferenca e sotme, Messi shkruan se ka vetëm fjalë falenderimi për të gjithë ata që e kanë shoqëruar në kaq shumë vite në klub, teksa veçon fansat që i kanë dhënë gjithë dashurinë e tyre.
Do të më pëlqente të largohesha në një mënyrë tjetër, edhe pse supozoj se një lamtumirë nuk mund të jetë kurrë diçka e bukur … do të kisha dashur të vazhdoja këtu, bëra gjithçka me atë objektiv dhe në fund nuk ndodhi. Kam vetëm fjalë falënderimi për të gjithë ata që më kanë shoqëruar në kaq shumë vite në klub. Dhe për fansat tanë, ata më dhanë gjithë dashurinë e tyre dhe se unë u përpoqa t’ua kthej atyre duke dhënë gjithçka edhe për këtë fanellë. Po iki por nuk është lamtumirë, vetëm shihemi më vonë. Rroftë Barça !!!