Kur kanë kaluar thuajse dy muaj nga ngjarja që shokoi botën e futbollit- ataku kardiak i Christian Eriksen në fushën e lojës- një tjetër protagonist i ndeshjes ka treguar versionin e tij.
Arbitri i ndeshjes së “Euro 2020”, mes Finlandës dhe Danimarkës, Anthony Taylor ka thënë në një intervistë për BBC se ai e dinte menjëherë se mesfushori danez ishte në një gjendje të rëndë.
Taylor e ndali menjëherë lojën dhe kërkoi që mjekët të hynin në fushë, por nuk pranon merita për veprimin e tij të shpejtë. Ai thotë se heronjtë e vërtetë ishin kaüiteni danez Simon Kjaer dhe stafi mjekësor, të cilët i dhanë futbollistit të Interit ndihmën e parë që i shpëtoi jetën.
“Në momentin që ndodh, fokusi i vetëm është të sigurohet që Christian ka marrë trajtimin që i nevojitet. Ai e bëri qartë për shkak të reagimit të shpejtë jo vetëm të kapitenit të tij, por edhe të mjekëve. Ky është përfundimi. Futbolli, në atë pikë, ishte i parëndësishëm. Në fund të ditës, kemi të bëjmë me njerëz”, ka thënë Taylor.
Ai ka rrëfyer se të gjithë do të drejtoheshin tek ai si gjyqtar i ndeshjes për ta pyetur çfarë do të ndohë më pas, ndërsa edhe pas situatës së rëndë ai sërish duhej të menaxhonte emocionet.
“Menjëherë pas ardhjes së ekipeve tek Christian, të gjithë do të vinin tek unë si gjyqtar i ndeshjes për atë që do të ndodhte më pas. A do të vazhdojë loja? Çfarë të bëjmë? Sa kohë do presim? Kjo është puna ime në lidhje me delegatin e UEFA -s. Edhe pas asaj situate fillestare fatkeqe, unë kisha akoma shumë për të bërë në drejtim të menaxhimit të emocioneve të të gjithëve atje”, ka treguar arbitri.