Skip to content
Uncategorized

Përfundon gara në “Tokyo 2020” për Izmir Smajlajn, shkodrani nuk kualifikohet për në finale

· 2 min lexim

Në vazhdim të Lojërave Olimpike në Tokio të Japonisë, ka garuar edhe atleti tjetër shqiptar, Izmir Smajlaj. Shkodrani konkurroi në baterinë A në kërcim së gjati, por nuk mundi të kualifikohej për në finale.

Atleti kërceu 7.81 metra në provën e parë, ndërsa në të dytën kërceu 7.86 metra. Në tentativën e tretë ai bëri faull dhe e mbylli konkurrimin në vendin e nëntë në baterinë A, ndërsa në renditjen e përgjithshme e mbylli i 17-i.

Megjithatë, performanca e Izmir Smajlajt në këto Lojëra Olimpike ishte më e mirë se ajo në Olimpiadën  “Rio 2016” pesë vite më parë. Në Olimpiadën e Brazilit atleti shkodran nuk shkoi dot më shumë se 7.72 metra, por që sërish ishte larg nga rekordi i tij personal prej 8.11 metrash.

Deri tani në Tokio kanë garuar edhe dy peshëngritësit Briken Calja dhe Erkand Qerimaj. Calja e mbylli në vendin e katërt garën në peshëngritje deri në 73 kg, renditja më e mirë për Shqipërinë. Ndërkohë, Qerimaj garoi sot dhe e mbylli në vendin e nëntë garën deri në 81kg, ndërsa u rendit i pari në baterinë B me 338 kg të ngritura.

Ndërkohë, sytë janë tashmë nga atletja Luiza Gega që pritet të konkurrojë  të dielën në garën 3000 metra me pengesa.