Një shtetase 31-vjeçare është arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi akuzohet se u ka marrë qytetarëve 10 mijë euro, duke mashtruar se do t’u jepte licensë për farmaci. Sipas Policisë, shtetasja nga Kavaja kishte krijuar disa adresa falso në rrjetin social “Instagram”, me emra të punonjësve të një institucionit shtetëror, me pretendimin se do t’i ndihmonte për të marrë dokumentin por në këmbim të parave. 31-vjeçares iu sekuestruan 1 kompjuter, 2 aparate telefonike, 10.000 euro, 50.000 lekë të rinj, si dhe 61 fatura tatimore shitjeje.
Njoftimi i Policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Premtimi i rremë”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit, me qëllim përftimi. Arrestohet në flagrancë një 31-vjeçare që ka mashtruar shumë qytetarë, nëpërmjet mesazheve në instagram, për përfitimin e licencës së farmacistit. Arrestimi, në momentin e marrjes së shumës 10.000 euro, nga disa qytetarë që i kishte mashtruar. Sekuestrohen para dhe prova të tjera materiale që shërbejnë për dokumentin e veprimtarisë së kundërligjshme të 31-vjeçares.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim më Drejtorinë e Operacioneve Speciale, pas një hetimi disa javor, mbi bazën e provave të grumbulluara, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Premtimi i rremë”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetases S. K., 31 vjeçe, banuese në Kavajë.
Në bazë të hetimeve të kryera, u bë e mundur që kjo shtetase të kapej në flagrancë nga Policia, në rrugën “Josif Budo”, në Kavajë, duke marrë shumën prej 10.000 euro, pasi kishte mashtruar disa shtetas, nëpërmjet komunikimeve në rrjetin social instagram, me adresa false të krijuara me emra të punonjësve të një institucionit shtetëror, me pretendimin për t’i ndihmuar në nxjerrjen e licencës për ushtrimin e profesionit të farmacistit.
Nga hetimet e kryera rezultoi se kjo shtetase, nëpërmjet mashtrimit dhe veprimeve të saj, ka arritur të përfitojë në total 16.000 euro. Gjithashtu, nga këqyrja e telefonit të saj janë gjetur edhe shumë biseda të tjera me persona të ndryshëm, me të cilët komunikonte me qëllim mashtrimin për përfitim të paligjshëm të parave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kompjuter, 2 aparate telefonike, 10.000 euro, 50.000 lekë të rinj dhe 61 fatura tatimore shitjeje. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë dëmtuar nga ky aktivitet.