Një 29-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi organizonte lojëra fati në mënyrë të jashtëligjshme në lokalin e tij. Shtetasi me inicialet I.A, e përdorte lokalin e tij për aktivitetin e paligjshëm, por u zbulua pas kontrollit nga Policia. Ndërkohë, janë sekuestruar pajisjet elektronike që përdorte 29-vjeçari për të ushtruar aktivitetin dhe të gjitha materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë – Vijojnë kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, kanë ushtruar kontroll në ambientet e një lokali në Novosel. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– I. A., 29 vjeç, banues në Novosel, Vlorë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pajisje elektronike që shërbenin për ushtrimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruhej në njoftimin e Policisë. Më herët ditën e sotme, u arrestuan dy persona në Tiranë, për të njejtën shkelje penale.