Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha mbajti ditën e sotme një konferencë për mediat, ku foli për raportin e fundit të OSBE-ODIHR, lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë konferencës Basha u pyet nga gazetarët në qoftë se do të nisin protestat në shtator dhe kryedemokrati është përgjigjur se, protestat kundër qeverisë do të vazhdojnë në të gjitha format. Gjithashtu Basha ka thënë se “presim jo thjesht hetime me ritëm të lartë, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti, por edhe transparencë për këto hetime”. Basha ka theksuar ndër të tjera në fjalën e tij se vjedhja e zgjedhjeve nuk është dramë e PD, por dramë shoqërore, një dramë me shumë akte.
“Kasandrave që parashikojnë se çfarë do të ndodhë në katër vitet e ardhshme ju them se dhe katër ditë janë një kohë e gjatë. Ne do të intensifikojmë përballjen, do të bëjmë aleancë me shumicën e shqiptarëve. 25 prilli nuk është çështje mandatesh, por çështje ndalimi të paligjshëm të ndryshimit, që shumica e shqiptarëve e dëshironin atëherë, dhe e duan edhe më shumë sot. Detyra jonë nuk është thjesht të ofrojmë programin për të nesërmen, por edhe t’i japim zë, forcë e fuqi kësaj shumice shqiptarësh që duan edhe më shumë ndryshimin e ndaluar përdhunshëm më 25 prill, me të gjitha format dhe mënyrat.
Sot vëmendja e shqiptarëve duhet të mbetet te ky certifikim i qartë i dështimit më të madh në 30 vite pluralizëm për të garantuar votën e lirë e të fshehtë. Detyrat tona janë të qarta, detyra e drejtësisë është e qartë dhe ne do vazhdojmë të insistojmë që ajo ta përmbushë këtë detyrë. Ne presim jo thjesht hetime me ritëm të lartë, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti, por edhe transparencë për këto hetime, jo vetëm para PD, por edhe para qytetarëve, që janë dëmtuesit më të mëdhenj nga masakra zgjedhore. Ju garantoj që PD asnjëherë nuk është stepur para asnjë vendimi për të përmbushur detyrën e saj para shqiptarëve dhe demokracisë dhe nuk do të stepet as sot, kur nevoja për demokraci është më e madhe se kurrë. Vjedhja e zgjedhjeve nuk është dramë e PD, por dramë shoqërore, një dramë me shumë akte. Efektet nuk janë teorike, rritja e papunësisë, e kriminalitetit, mungesa e një dere për të trokitur në shtet për të zgjidhur problemet për njerëzit, grabitja e pronave publike, goditja e biznesit, e sipërmarrjes, shkallimi i sistemit arsimor, janë aktet pasuese të dramës që nis me tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve. Këtë tjetërsim e ka bërë një regjim, jo i vetëm Edi Rama. Bashkëpunëtorët e Ramës dihen, një pjesë e tyre njihen prej vitesh, që kur i nxorën përgjimet e dosjeve 184 dhe 339. Prandaj, nuk mendoj se do të ketë ndonjë surprizë për publikun të qëndrimeve tona, pasi ne kemi vetëm një qëndrim, ndaj kësaj masakre zgjedhore dhe pasojave që sjell për shqiptarët, ne do të kemi vetëm betejë. Përpara nuk kemi thjesht një dështak, por kemi një përsëritës serial, prandaj e kam cilësuar si armik të demokracisë, të interesit të shqiptarëve, duke përfshirë këtu edhe vetë anëtarët e partisë së tij.”, tha Basha