Sportistja Majlinda Kelmendi ka njoftuar se do i jap fund karrierës së saj në sportin e xhudos në moshën 30-vjeçare. Kështu gara në Olimpiadën “Tokyo 2020”, ishte e fundit për sportisten që ka arritur çdo sukses të mundshëm dhe i ka krenuar të gjithë shqiptarët.
Ndeshja e saj e fundit përfundoi me disfatë në rrethin e parë në kategorinë 52 kilogramë në Tokio, megjithatë Kelmendi ka njoftuar se tashmë do të jetë afër trajnerit Ton Kuka, për të ndihmuar që të tjera talente të dalin prej Kosovës.
“Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. Ishte e shkruar, krejt i kam fituar. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit me u mundu me nxjerrë talente tjera prej Kosovës”, ka thënë Kelmendi.
Majlinda Kelmendi është sportistja e parë që i siguroi Kosovës një medalje ari në Lojërat Olimpike, në “Rio 2016”. Ajo është shpallur gjithashtu dy herë kampione bote dhe 4 herë kampione kontinentale. Gjatë karrierës së saj në sportin e xhudos ajo ka fituar plot 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.
Tashmë pejania pritet t’i bashkohet ekipit Ippon në vendlindje për të punuar krah Ton Kukës, njeriu që e udhëhoqi në sukseset e mëdha, ashtu si edhe sportistet e tejra, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, që janë tashmë kampione olimpike.