Tre golat e parë me ekipin e parë të Barcelonës nuk ishin aspak rastësi për Rei Manajn. Sulmuesi ka vazhduar me ritme të lartë, teksa ka shënuar një tjetër gol në ndeshjen e radhës miqësore të katalanasve.
Manaj shënoi golin e dytë në ndeshjen përballë Gironas, po e dyta ndeshje e fazës përgatitore. Goli i parë për Barçën u shënua me penallti nga mbrojtësi Gerard Pique në minutën e 20-të. Vetëm tre minuta më vonë ishte sulmuesi shqiptar ai që dyfishoi rezultatin. Girona arriti të ngushtonte rezultatin, por ishte Memphis Depay ai që shënoi sërish në ndeshjen e tij të parë që kur arriti në Camp Nou.
Rei Manaj arriti të shënonte tre gola në ndeshjen e parë miqësore të Barcelonës për fazën parapërgatitore. Një nga golat sulmuesi arriti ta shënonte me gjoks, ndërsa një tjetër arriti të kontrollonte në mënyrë perfekte topin duke shënuar diagonal. Golin e tretë ai e shënoi me penallti.
Paraqitja e sulmuesit është një sinjal për ekipin e parë të Barcelonës edhe pse konkurrenca do të ishte e fortë. Megjithatë skuadra të tjera kanë filluar të shfaqin interes për lojtarin dhe pavarësisht skuadrës ku do të luajë, Manaj do të jetë një pikë kyçe për ekipin kombëtar.