Prej disa ditësh bizneset në vend kanë kërkuar nga qeveria që të rishikojë orën policore dhe disa prej masave kufizuese, për të cilat thonë se po i çojnë drejt falimentimit. Po ashtu ka ndodhur edhe me bizneset në Vlorë, të cilat mbrëmjen e sotme kanë zgjedhur një formë mjaft origjinale proteste.
Në shenjë proteste bizneset në Lungomare kanë vendosur në sfond himin kombëtar për t’i kërkuar qeverisë që të plotësojë kërkesat e tyre. Himni është vendosur pak minuta para orës 22:00, kur është edhe orari që muzika qështë e ndaluar sipas aktit normativl.
Protestat ishin paralajmëruar që më herët për ndryshimin e orarit të mbylljes, pasi operatorët thonë se gjatë sezonit veror kjo gjë i ndikon negativisht bizneset, në një kohë kur shtohet edhe numri i turistëve. Ata i kishin drejtuar një letër kryeministrit, ku kërkonin që orari i lejimit të muzikës të shtyhet deri në orën 00:00, ndërsa orari i mbylljes të shtyhet deri në orën 02:00. Protesta ishte paralajmëruar pikërisht për mbrëmjen e sotme.
I shpejtë ka qenë edhe reagimi i policisë e cila ka mbërritur menjëherë në Lungomare. Përplasje ka pasur mes pronarëve të bizneseve dhe policisë, pasi të parët kanë refuzuar të mbyllin aktivitetin e tyre. Bëhet me dije se disa persona janë shoqëruar në komisariat.