Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimet për autorët e grabitjes së Rinasit dy vite më parë.
Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar grabitësit me këto vendime: Dash Kupa 27 vite burg, Ernest Kupa dhe Neim Avdylaj 26 vjet burg, Fatjon Xhyliu me 21 vite burg, Dritan Sinani me 20 vite burg dhe Aleksandër Murataj 19 vjet burg. Ndërsa, Ditjon Memlika dhe Admir Cerpja, bashkëpunëtorë të drejtësisë, u dënuan me 8 vjet e gjashtë muaj heqje lirie.
Bëhet me dije se të dënuarit do të përfitojnë një ulje të dënimit në masën 1/3, në kuadër të gjykimit të shkurtuar. Në fakt, grupi i grabitësve akuzohen për tre episode vjedhjesh. Në vitin 2015, u grabit një bankë e nivelit të dytë në zonën e ish-stacionit të trenit, ku u mor një shumë prej 900 mijë frangash.
Ndërsa dy rastet e tjera, janë grabitjet e makinave të blinduara në Rinas. Në vitin 2019, gjatë grabitjes në aeroport, ka pasur shkëmbime zjarri mes autorëve dhe Policisë, e për pasojë mbeti i vrarë kreu i bandës, Admir Murataj. Vëllai i këtij të fundit, Aleksandër Murataj, u dënua sot nga apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me plot 19 vite burg.