Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha nga Korça se “opozita i frikësohet drejtësisë së re që po lind”.
Balla ka marrë pjesë në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste Korçë, së bashku me drejtuesin politik të PS për qarkun Korçë, Niko Peleshi, atë të qarkut Berat, Blendi Klosi, si dhe deputetë të tjerë.
“Qëllimi kryesor i takimit ishte komunikimi me socialistët për situatën aktuale politike dhe ri-organizimi për zgjedhjet e 30 qershorit.
Para të pranishmëve në sallë theksova edhe një herë arsyen e braktisjes së mandateve nga opozita e cila i frikësohet drejtësisë së re që po lind. Pavarësisht përpjekjeve të Saliut, Lulit dhe Monikës ne jemi më të bashkuar se kurrë për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi duke votuar ligje të tjera të rëndësishme në Kuvend”, shkruan Balla në “Facebook”.
Ai është shprehur gjatë asamblesë se ‘ditën e martë kur ata sulmuan deputetët ishte frika, por edhe përpjekja e fundit për të bllokuar votimin në Kuvend të strukturës së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë’.
“Edhe të martën që vjen ne përsëri kemi disa ligje që lidhen me implementimin e Reformës në Drejtësi dhe përsëri do të ketë protestues huliganë, që do të mblidhen në hyrje të Kuvendit. Të jeni të sigurt se nuk janë më shumë se sa jeni ju këtu. Ne jemi votuar për të çuar përpara reformën në drejtësi. Të gjitha fajet e këtyre 28 viteve, kushdo që i ka bërë, nuk ka për të shpëtuar pa u hetuar ashtu siç duhet dhe pa u dënuar ashtu siç e meritojnë”, deklaron Balla.
Më tej ai shton: “Mjafton që çdo shqiptar të bëjë një pyetje: çfarë mund ta bëjë bashkë Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin?. Ne jemi më shumë të bashkuar se kurrë për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi”.
Balla iu është drejtuar socialistëve të Korçës, Devollit, Maliqit, Pustecit, Pogradecit dhe Ersekës, duke u thënë se PS është e vendosur të vijojë punën për zbatimin e kontratës që ka me qytetarët dhe çuarjen më tej të reformave.
“Jemi të bindur se në zgjedhjet e 30 Qershorit PS do të jetë fituese, sepse puna e bërë në gjithë këto vite ka treguar se Bashkia e Korçës dëshmon modelin më të mirë të qeverisjes vendore.
PD-ja dhe LSI-ja vendosën t’i lëshojnë mandatet. Një gjë dua t’ua them socialistëve të Korçës, Devollit, Maliqit, Pustecit, Pogradecit dhe Ersekës, që ne nuk kemi ndërmend të ndërpresim punën tonë, drejt 2021-it. Përpara se të shkojmë në 2021-in kemi 30 qershorin. Ne jemi të vendosur të vijojmë punën e nisur👍🌹🇦🇱🇪🇺”, thekson kreu i grupit parlamentar të PS.