Katër persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të plagosur nga një konflikt me armë në bregdetin e Velipojës, orët e vona të natës. Policia e Shtetit ka njoftuar se për këtë ngjarje të rëndë ka shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë, të cilët dyshohen se ishin bashkë me vëllezërit Ferracaku.
Gjithashtu bëhet e ditur se deri tani janë rreth 20 persona që shoqëruar, si shtetas që mund të kenë dijeni të mëtejshme rreth konfliktit që çoi në përplasjen me armë mes vëllezërve Ferracaku dhe Gocaj. Po ashtu mësohet se në këtë ngjarje mund të jenë përdorur deri në 6 armë.
Sipas dyshimeve paraprake, vëllezërit Ferracaku kanë pasur secili nga një pistoletë dhe dy personat në kërkim dyshohen se kanë qenë të armatosur. Nga ana tjetër edhe vëllezërit Gocaj kanë pasur njeri pistoletë dhe tjetri automatik kallashnikov.
Policia ka sekuestruar vetëm një pistoletë deri më tani dhe disa prej gëzhojave që janë nga disa armë të ndryshme.
Ndërkohë kujtojmë se të vrarë pas konfliktit që dyshohet se nisi për hapësirat në plazh mbetën Kujtim Ferracaku dhe u plagos nipi i tij Elmilind Dyli, 17 vjeç ndërsa u plagos edhe Hasan Ferracaku, vëllai i tij.
Nga pala tjetër mbetën të vrarë vëllezërit Edmond Gocaj dhe Xhovan Gocaj si dhe shtetasi Myzerin Zeneli, 20 vjeç i cili një ditë më parë kishte nisur punën si kamerier në plazhin e Velipojës.