Babai i pilotit, Babis Anagnostopoulos ka folur për mediat greke lidhur me kërkesën për kujdestari të përbashkët për foshnjën e çiftit, Lydian. Ai ka thënë se si baba ka humbur dy fëmijë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Glyka Nera, ku piloti vrau bashkëshorten. Babai i pilotit është shprehur se do të mundohet që foshnja e pafajshme mos të ketë një fat të keq dhe të rritet e lumtur. Më tej ai ka shtuar se gjithçka që i intereson është fati i foshnjës, asgjë tjetër.
Nga mediat greke është mësuar se dy familjet, e Caroline Crouch dhe Babis Anagnostopoulos mund të kërkojnë kujdestari të përbashkët përderisa para krimit, marrëdhëniet mes tyre kanë qenë shumë të mira.
Foshnja Lydia e cila këtë qershor mbush 12 muaj ose 1 vit humbi nënën e saj nga duart e të atit. Po ashtu babain e saj e pret një dënim i ashpër nga drejtësia greke për shkak se i janë ngritur disa akuza, më kryesorja vrasje me paramendim. Kujtojmë se nga të dhënat e fundit, ka një moskoherencë mes dëshmisë së pilotit dhe ekspertizës ligjore. Sipas kësaj të fundit, rezulton që e reja ka qenë në gjumë kur është mbytur nga i shoqi. Këtë e dëshmon ora inteligjente që ajo mbante në duar, e që tregonte se disa orë para vdekjes, pulsi i saj ishte i njëjtë me atë të një personi që fle. Kujtojmë se në dëshminë e tij, bashkëshorti i saj ka thënë se e ka vrarë Carolinën në debat e sipër dhe e ka përqafuar për minuta të tëra, derisa ajo nuk lëvizte më.