Skip to content
Të Gjitha

Kapet 23-vjeçari në Durrës, i akuzuar për vrasje në Angli

· 1 min lexim

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, kanë arrestuar një 23-vjeçar me origjinë nga Kukësi për llogari të Mbretërisë së Bashkuar ku akuzohet për vrasje.

Operacioni Policor i koduar “EAGLE” , bëri të mundur lokalizimin dhe arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar E. S., 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Xhafzotaj, Shijak.

Autoritetet gjyqësore britanike kanë përcjellë kërkesën për lokalizimin dhe arrestimin e këtij shtetasi, në bazë të Urdhër Arrestit të datës 05.01.2018 të Gjykatës së Magjistratëve në Westminster/Mbretëri e Bashkuar, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje”, parashikuar nga Kodi Penal Britanik.

Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë po kryejnë të gjitha procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Ky është rezultati i parë pas Marrëveshjes dypalëshe, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, ratifikuar me Ligjin nr. 93/2017 që plotëson Konventën Europiane të Ekstradimit të vitit 1957.