Presidenti Ilir Meta ka nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” artistin Bujar Kardashi në Ditën Ndërkombëtare të Artizanatit. Meta e cilëson Kardashin si një nga përfaqësuesit më të spikatur të artit në vendin tonë dhe një pormovues i palodhur i traditave shekullore të artizanatit shqiptar. Në një status në Facebook Meta shkruan se Kardashi është jo vetëm themelues i repartit të prodhimit të violinave, por edhe i vetmi i cili ka realizuar një kolanë të instrumenteve të harkut, që sot janë pjesë e fondit të kulturës kombëtare
Postimi i plote:
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Artizanatit, vlerësova sot me Titullin “Mjeshtër i Madh”, një nga përfaqësuesit më të spikatur të artit në vendin tonë, z.Bujar Kardashi, promovues i palodhur dhe i suksesshëm i traditave shekullore dhe i veçantive të artizanatit shqiptar.
Lutajo unik në Shqipëri, ai është jo vetëm themelues i repartit të prodhimit të violinave, por edhe i vetmi, i cili ka realizuar një kolanë të instrumenteve të harkut, që janë sot pjesë e çmuar e fondit të kulturës kombëtare.
Fill pas ndryshimeve demokratike, prej tij janë dizenjuar edhe uniformat, emblemat, gradat dhe simbolet për Forcat tona të Armatosura.
Suksese të mëtejshme në krijimtarinë dhe veprimtarinë në fushën e artizanatit, të artit e kulturës, si dhe në angazhimin e tij jetësor për ruajtjen dhe promovimin trashëgimisë, vlerave dhe traditave tona kombëtare.