Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj, thotë se nëse do të zgjidhet kryetar i PD-së, nuk do të ketë për asnjë moment nuk do të ketë bashkëqeverisje apo marrëveshje me kryeministrin Edi Rama.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Agron Shehaj shkruan se në pushtet shkohet vetëm me votë dhe se mënyra për të fituar votat, është duke bërë Partinë Demokratike alternativën e duhur për shqiptarët.
“Nën drejtimin tim nuk do të ketë bashkëqeverisje, nuk do të ketë marrëveshje, në asnjë rrethanë me Ramën. Do të ketë vetëm opozitë, opozitë. Në pushtet vihet vetëm me votë dhe votat fitohen duke bërë për vete shqiptarët, dhe shqiptarët bëhen për vete duke e bërë PD-në alternativën e njerëzve të ndershëm, të zotë, qytetarë.
Me mua në krye, PD do jetë parti demokratike dhe meritokratike, e hapur për të gjithë, me mundësi karriere për të gjithë, dhe karriera do të garantohet përmes garës dhe votës së anëtarëve”, është shprehur Agron Shehaj.
Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike do të zhvillohen me 13 qershor, ku janë 4 kandidatë. Lulzim Basha, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi janë kandidatët që do të votohen për kreun e PD-së. Basha dhe Shehaj duken më të favorizuar për kreun e partisë për momentin.