Është identifikuar autori i plagosjes me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Vlorë. Policia njofton se bazuar në provat e grumbulluara, është identifikuar dhe shpallur në kërkim E.M., 18 vjeç. Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:55, kur Ergys Likaj, 39 vjeç u paraqit në spitalin e Vlorës për mjekim, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri në të dyja këmbët. Fillimisht Likaj kishte deklaruar se ishte vetëplagosur, por nga të dhënat e policisë ra poshtë pretendimi i tij.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u plagos me armë zjarri shtetasi E. L.
Bazuar në provat e grumbulluar u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit E. M., 18 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të metejshme.