Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Lezhës pasi tentuan të kultivonin bimë narkotike dhe mbanin armë zjarri pa leje. D. N., 30 vjeç, banues në Thumanë dhe K. Gj., 21 vjeç, banues në Bulshar, Mirditë, ranë në pranga në kuadër të operacionit “Bulshar”. Gjatë kontrolleve të policisë u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri automatikë, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Mirditë, Lezhë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bulshar”, për goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethi Gjyqësor Lezhë.
Vihen në pranga 2 shtetas, autorë të tentativës për kultivimin e bimëve narkotike dhe posedues të armëve të zjarrit.
Sekuestrohen 2 armë zjarri, radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, kubikë me fara narkotike kanabis, llamba elektrike termale dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Strukturat policore në DVP Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në zonën e Bulsharit, Mirditë, disa persona po tentonin të kultivonin bimë narkotike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një hetimi disajavor, kanë finalizuar me sukses operacioni policor të “Bulshar”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-D. N., 30 vjeç, banues në Thumanë dhe K. Gj., 21 vjeç, banues në Bulshar, Mirditë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Bulshar”, Njësia Administrative Orosh, Mirditë, në një serë, kishin kultivuar në kubikë dhe në tokë fidanë narkotike kanabis.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një ambient që këta shtetas kishin përshtatur për strehim u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri automatikë, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.