Kanë mbërritur pak më parë në Aeroportin e Rinasit, 60 mijë doza të vaksinës kineze Sinovac.
Ogerta Manastirliu theksoi se doza e mbërritur do të shërbejë për grupmoshat të cilat deri më tani kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine, ndërsa shtoi, se synohet të ulet fasha e grupmoshave që vaksinohen, duke nisur me punonjësit e transportit publik.
“Sapo kanë mbërritur 60 mijë doza të vaksinës Sinovac. Këto janë pjesë të programit të dytë të marrëveshjes që është bërë nga qeveria. Kjo do të përdoret nga personat që kanë marrë vaksinën e parë dhe vaksinimi do të nisë dhe me dozën e dytë. Numri i vaksinimeve deri ditën e djeshme është 712 mijë vaksinime. Mbetet prioritet i yni vaksinimi masiv i popullatës.
Jemi në grupmoshën plus 60. Po vaksinojmë dhe me të gjithë punonjësit e fasonerive dhe punonjësit e strukturave hotelerie për të lehtësuar sezonin turistik. Do të përfshijmë edhe punonjësit e transportit publik.
Situata është e normalizuar, ka një numër të qëndrueshëm të rasteve aktive, kjo edhe për faktin që vaksinimi masiv po jep efektin e vet. Është vendi për të treguar sukses. Duke filluar nga dita e nesërme, sërish mbërrijnë vaksina, nga Pfizer. Arrijnë dhe 40 mijë vaksina të AstraZenecas. Do të vijojmë me intensifikimin e planit të vaksinimit duke ulur dhe grupmoshën”, u shpreh Manastirliu.