Këngëtarja Anxhela Peristeri e cila përfaqëson Shqipërinë në Eurovision ka folur e emocionuar pasi ndezi skenën. Sapo bëri performancën e zjarrtë me këngën “Karma’, Peristeri ka thënë se është shumë e lumtur e do ta mbante mend gjithë jetën e saj.
“Jam shumë e lumtur. Ndihem e mërzitur që nesër nuk do të jem më duke performuar në këtë skenë të mrekullueshme. Do ta mbaj mend gjithë jetën time,”- tha Anxhela pasi doli nga skena.
Kryetari i Delegacionit të Eurosong, Kleart Duraj u shpreh se pavarësisht situatës pandemike që nuk ka kaluar, festivali më i madh i këngës Eurosong arriti të zhvillohet. Në një intervistë për edicionin e lajmeve në Oranews, Duraj tha se kushtet janë specifike dhe ka pasur kontrolle të vazhdueshme në mënyrë që mos ketë probleme për pjesëmarrësit.
Përsa i përket perfomacës së Anxhela Peristerit, Duraj shtoi se ajo ka arritur të bëjë për vete fansat, medien si dhe produksionin. Sipas tij, pritshmëritë e Shqipërisë në këtë festival janë të larta, pasi Peristeri arriti të realizonte një performancë të arrirë.
“Kjo ngjarje ka të veçantë faktin që po zhvillohet pavarësisht se pandemia është ende prezente. Organizatorët dhe media holandeze, së bashku me gjithë mediet publike bënë përpjekjet maksimale që të zhvillohet eventi më i madh muzikor i vitit. Jo vetëm kaq, por bënë të mundur që të ketë prezencë të 3500 fansave në sallë. Pandemia ka ndikuar edhe në këtë evend. Kushtet janë shumë specifike dhe ka kontrolle të vazhdueshme në mënyrë që mos ketë probleme për pjesëmarrësit. Ky proces ka qenë shumë i ngarkuar dhe kështu është çdo vit.
Është një proces shumë i gjatë i cili fillon që pas përfundimit të Festivalit të Këngës në Shqipëri. Është një proces shumë kompleks. Shqipëria këtë radhë ka kaluar në finale dhe kjo është një arritje e madhe. Anxhela Peristeri me performanëcn e saj ka arritur të bëjë për vete fansat, media, produksionin të cilët kanë reaguar pozitivisht. Pritshmëritë janë shumë të larta për faktin që Peristeri ka bërë një performancë shumë të arrirë. Kjo është një garë e hapur dhe Anxhela konkurron për të arritur një vend sa më të denjë për Shqipërinë,”- tha Duraj.