Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, u shpreh ditën e sotme se opozita nuk do t’i njohë këto zgjedhje, ku sipas tyre është bërë një “masakër elektorale”, me blerjen e votave. Në emisioni “Breaking”, Ndoka ka shtuar se kjo po vërtetohet tani pas hapjes së kutive që u bënë ditën e djeshme në qytetin e Beratit, ku u identifikuan edhe disa parregullsi.
“Zgjedhjet e 25 prillit po dëshmojnë çdo ditë që ishin zgjedhje të trukuara, të manipuluara. Kjo ka krijuar një klimë jo pozitive për vendin dhe politiken shqiptare në tërësi”, u shpreh Ndoka.
Ndër të tjera Ndoka ka shtuar se opozita nuk e ka marrë shumë seriozisht, pasi sipas tij fryma qytetare ndihej dhe ishte pro ndëshkimit të mazhorancës. Gjithashtu ai më tej shtoi se partia në pushtet përdori administratën dhe fondet publike.
“Kam qenë mjaft dyshues dhe dyshimet e mia i kam thënë herë pas here. Ne jemi përballur më një kundërshtar problematik. Rama e kishte bërë publik parashikimin e tij edhe me blerjen e votës. Ai i ka deklaruar më herët.
Opozita nuk e mori shumë seriozisht, pasi kishte një frymë qytetare e një dëshirë për ndëshkim të kësaj mazhorance. Opozita pati problemet e veta, e kjo është e padiskutueshme. Pati një lloj euforie në këtë përballje, e kjo na kushtoi.
Mazhoranca përdori administratën, përdori fondet publike në fushatë, përdori parave e tërmetit. Rama u la i lirë nga opozita para fushatës elektorale.”, u shpreh Nard Ndoka.
Ndoka komentoi edhe faktin pse nuk ka dal kundër Bashës pavarësisht se PD-ja nuk e fitoi mandatin. Ai u shprehë se pavarsishtë se ka pakënaqësitë e veta nga Basha ai beson se kreu i PD-së e ka epërsinë e duhur për ta çuar para këtë parti. Gjithashtu ai ka shtuar se Bashën e nxirrte fituese kompania që i vinte nga pas edhe këtë e besoi edhe vetë opozita.
“Kam pakënaqësi dhe zhgënjim nga Basha. Kisha një marrëveshjezyrtare me Bashën dhe të firmosur edhe nga gjashtë parti të tjera. Unë e kam mbështetur Bashën për 8 vite në opozitë, në të gjitha kauzat. Dorëzova mandatin. Pata një lloj zhgënjimi që nuk e respektoi marrëveshjen në momentin e fundit.
Na futi në një grackë e na la aty. Unë gjykoj se zoti Basha e ka sot epërsinë, edhe pse ka marrë një goditje, edhe pse ka gabime. Është futur në një terren të minuar. Politika shqiptare ka të papriturat e veta. E nxirrte opozitën fituese kompania që i vinte nga pas Bashës. Ajo kompani ishte jashtë realitetit, e si pasojë edhe opozita doli jashtë realitetit.”, përfundoi Nard Ndoka.