Kandidati demokrat për Durrësin, Edi Paloka ka thënë se Partia Demokratike është duke bërë gati dosjen që provon manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Paloka u shpreh se PD do të ndjek gjithë hapat procedural e ligjorë madje duke e çuar dosjen deri në Strasburg. Paloka u shpreh se rezultati i zgjedhjeve nuk shpreh vullnetin e shqiptarëve dhe se PD nuk do t’i njohë.
Pjesë nga intervista:
Siç ju thashë, ne kemi bërë tanimë me dhjetëra denoncime edhe në SPAK, edhe në prokuroritë lokale. Ndërkohë, një grup pune është ngritur në PD dhe po sistemon të gjitha provat dhe materialet që disponojmë për manipulimin e zgjedhjeve, për të bërë gati atë që ju e quajtët “dosja e zezë” e 25 prillit. Ne do të ndjekim të gjithë hapat proceduralë dhe ata ligjorë. Deri në Strasburg do të çohet ajo dosje nëse drejtësia shqiptare e kapur siç është, nuk do të vendosë në vend vullnetin e shqiptarëve. Zgjedhjet nuk kanë mbaruar! Ato mbarojnë kur mbyllen të gjitha procedurat dhe ne do i shkojmë deri në fund.
… Ky rezultat, siç ju thashë, nuk shpreh vullnetin e shqiptarëve dhe kjo është e qartë. Ne nuk i njohim këto zgjedhje, këtu nuk ka fare vend për dilema! Këto zgjedhje nuk mund të njihen.