Kryeministri Edi Rama ka pësëritur edhe njëherë ftesën e tij për bashkëpunim ndaj Partisë Demokratike në emisionin “Opinion”. I pyetur se çfarë bashkëpunimi ka pasur në mend me PD, rama tha se duhet një sforco e madhe që debati politik të çohet përtej pandemisë, duke lehtësuar marrëzinë që e karakterizon. Ai u shpreh se konfliktet ekstreme nuk prodhojnë asgjë.
“Unë mendoj dhe besoj shumë fort se duhet të bëjmë një sforco të madhe të gjithë, komplet, por edhe ju, në radhë të parë unë si kryetar i PS-së dhe kryeministër për herë të tretë që ta çojmë debatin politik përtej pandemisë duke u munduar ta lehtësojmë nga e gjithë marrëzia që e karakterizon dhe mundësisht ta balancojmë pak energjinë që konsumohet çdo ditë në skenën e debatit politik për t’u marrë me njëri-tjetrin në kuptimin më banal të fjalës se me njëri-tjetrin do të merremi. Me konflikte me sherre, me ekstreme që nuk prodhojnë asgjë”, tha Rama.
Më tej Rama deklaroi se në ftesën e tij ndaj opozitës për bashkëpunim, nuk ka asnjë kufi duke e lënë të hapur alternativën për një bashkëqeverisje.
“Nuk kam asnjë kufi fare. Asnjë kufi. Nuk të jap përgjigje fare se nuk je ti kryetar i opozitës. Kur të bëhesh kryetar i opozitës flasim. Unë të sugjeroj që realisht ta konsiderosh këtë, nuk po bëj shaka“, deklaroi kryeministri.
Gjithsesi ai ka përjashtuar LSI-në nga kjo ftesë duke thënë se nuk ka kufij vetëm ndaj PD-së, jo ndaj gjithë opozitës-
“LSI-ja i përket një tjetër kategorieMe PD-në. Nuk kam kufi për bashkëpunimin me PD, fare s’kam asnjë vija të kuqe. Vetëm me PD, jo me opozitën. Nuk është “Duam këto”. Prandaj po flas. Ejani të ulemi, vendosim një frymë dhe më pas hajde e ndërtojmë parimet”, deklaroi rama.