Kryetarja e partisë “Lëvizja për Ndryshim”, Jozefina Topalli ka dhënë dorëheqjen pas rezultatit zhgënjyes që forca që ajo drejton mori në zgjedhjet e 25 prillit. Ka qenë vetë Topalli, e cila e ka bërë të ditur lajmin me anë të një postimi në Facebook. Ajo shkruan se Lëvizja për Ndryshim nuk ia doli të bëhej faktor në këto zgjedhje, por ajo falenderon stafin dhe secilin kandidat që sfidoi klasën politike aktuale. Topalli gjithashtu falenderon të gjithë ata që e besuan. Në fund, ajo bën të ditur se do të largohet nga drejtimi i partisë duke uruar që njerëzit patriot të vazhdojnë Lëvizjen për reformimin e së djathtës shqiptare.
“Lëvizja për Ndryshim nuk ia doli për t’u bërë faktor në këto zgjedhje.
Por unë dëshiroj të falënderoj stafin, secilin prej kandidatëve që sfiduan klasën politike aktuale; të falënderoj të gjithë ata që besuan.
Duke u larguar nga drejtimi i kësaj Lëvizje uroj që njerëz patriot dhe të pakorruptuar të vazhdojnë Lëvizjen për reformimin e së djathtës shqiptare”, shkruan Topalli.
Në këto zgjedhje parlamentare, forca e re politike e drejtuar nga Jozefina Topalli arriti të siguronte vetëm 7049 vota ose thënë ndryshe, 0.45 % duke mos siguruar asnjë mandat deputeti për në Kuvendin e Shqipërisë.