Djegia e mandateve nga ana e opozitës ka shkaktuar shqetësim sidomos në radhët e ndërkombëtarëve, ku nuk kishte si të mungonte dhe deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara këtu në Tiranë.
Në një deklaratë, duhet thënë të fortë, të postuar në rrjetin social Facebook, iu ka kërkuar palëve që të dalin mbi sherret politike dhe ato të ditës dhe të marrin një vendim të drejtë.
Sipas saj Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të ndërmarrë këtë hap pasi në këtë mënyrë minon parimet bazë të demokracisë dhe saboton përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme.
Ndërkohë që në fund e kanë mbyllur me një mesazh të qartë: “Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni.”
Postimi i plotë i Ambasadës së SHBA në Tiranë
“Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni.”