Nata e djeshme ishte plot volum e zhvillime përsa i përket Superligës Europiane, një kompeticion i propozuar nga 12 klube nga Italia, Spanja e Anglia, teksa në krye të projektit qëndruan presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, dhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli.
Vetë formula e këtij kompeticioni ishte ajo që krijoi më shumë pakënaqësi dhe u kundërshtua pa masë nga të gjithë. Tifozët bënë lëvizjet e tyre kundër, legjendat e fundit futbollit gjithashtu, por edhe vetë lojtarët e trajnerët dolën hapur kundër këtij kompeticioni.
Pas gjithë këtij presioni, presidenti i Manchester United, Ed Woodward dha dorëheqjen. Në Angli, ku tifozët zbritën në rrugë dhe protesuan fort nisën “dezertimet” e para nga kompeticioni i propozuar. I pari që njoftoi zyrtarisht largimin ishte Manchester City.
Thuajse në të njëjtën kohë, erdhi zyrtarisht tërheqja e të gjithë klubeve angleze, saktësisht 6. Ndërkohë pak më parë Barcelona kishte qartësuar qëndrimin e saj për ligën. Laporta kishte rënë dakord ta linte këtë çështje në dorën e Bordit dhe nuk ishte bërë zyrtarisht pjesë e Superligës.
Atletico ishte gjithashtu gati të shpallte largimin nga projekti. Në Itali Roma e Napoli u shfaqën kundër. Ndërkohë dolën lajmet se Milani dhe Interi po mendojnë tërheqjen. Në këto kushte Superliga ishte e detyruar të dilte me deklaratë, pavarësisht deklaratave këmbëngulëse të Perez.