Kryeministri i vendit Edi Rama, ka folur sot pas deklaratës së presidentit të vendit Ilir Meta, që tha dje se patronazhistët kanë mbërritur deri te vajza e tij, duke i thënë që t’i thotë babit të mos pijë, të jetë i qetë dhe të ruajë figurën e Presidentit. Kryeministri i vendit nga Njësia nr5 në Tiranë , i drejtohet presidentit Meta që të dëgjojë vajzën dhe të shkojnë në shtëpi.
Kreu i qeverisë i drejtohet presidentit Meta me fjalët: “O Ilir dëgjo vajzën shko në shtëpi! Shko në shtëpi. Shko në shtëpi. Je president akoma. Nuk i ka bërë kujt vaki kjo çmendi! O Ilir shko në shtëpi. Shko në shtëpi dëgjo vajzën. Ta tha mirë: Babi mos pi eja në shtëpi!”
Rama nuk ka kursyer as batuat me Pandeli Majkon, kandidatin e 19 në listate PS-së për Tiranën.
Duke iu referuar akuzave se ka kushëri agresorin në Kavajë, Rama tha: “E pashë kushëririn sot e kishte mjekrën deri këtu, por kushëri kam Pandin dhe që s’ka asnjë qime në faqe. Ky më do të rruar për kushëri“., tha kryeministri Rama.
Ndër të tjera Rama ka shtuar se që ditën e parë që ka hyrë në PS, Pandi e ka qenë kundër tij.
“Që ditën e parë që u bëra kryetar i PS ishte kundër meje Pandi. Mua më donte por si kryetar s’më donte. U bëra unë. U bë edhe Pandi sekretar i Përgjithshëm. Edhe takohemi te selia e PS, dakord i thashë t’i s’më deshe por kjo punë kështu e ka, ndonjëherë të martojë me zor. Jam gati për bashkëpunimin tha por hiq çorapet kuqe dhe martohu”, vijoi kreu i qeverisë.