PD do të padisë Partinë Socialistë në SPAK për përdorimin e të dhënave private të qytetarëve të Tiranës në “E-Albania”, dhe sipas opozitës, këto të dhëna po përdoren në mënyrë të jashtëligjshme. Vetë Partia Socialiste e ka quajtur si një “punë në terren”, ndërsa ata që telefonojnë qytetarët në telefon, janë quajtur “patronazhistë”.
Po, militantët e partisë na paskan një term modern e të ri tashmë. Këta militantë, nuk pyesin se kë do të telefonojnë dhe kanë arritur të shpërndajnë të dhëna dhe për Prokurorët e SPAK, madje dhe për shefin e SHISH, Helidon Bendo.
Patronazhistja me emrin Marjana Ndraka ka raportuar se shefi i SHISH ka preferenca për PS-në, dhe se mund të konsiderohet si votues i sigurt për PS-në. Në raportimin për shefin e SHISH (Shërbimi i Informacionit Shtetëror), janë të gjitha të dhënat e tij, si numër telefoni, numri i kartës ID, qendra e votimit e të tjera, por mungon vetëm emri i vendit të punës.
As prokurorët e SPAK nuk janë jashtë kësaj liste. “Lapsi” ka siguruar listat e militantëve të partisë dhe nuk mungojnë prokurorët, duke filluar nga kreu i SPAK, Arben Kraja. Patronazhisti Ermal Pishtari e ka konsideruar Krajën si votues të sigurt të PS-së, duke e ngjyrosur rozë. Pra, padia e PD-së do të shkojë në SPAK, aty ku Arben Kraja do e ketë në dorë. Ky po që është konflikt interesi. Kjo qeveri, na i ka marrë të gjitha, madje edhe të dhënat personale. Më mirë të jetosh në të zezë në një vend të huaj, atje po që je më i sigurt.