Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i është përgjigjur kreut të qeverisë, Edi Rama për akuzat se po organizohet “grusht shteti”, duke nxitur grevën e kontrollorëve të Rinasit për të ndaluar fluturimet. Por këto akuza, Sali Berisha i ka quajtur si vazhdimi i avazit “Fajin e ka Saliu”.
Ish-kreu i PD thekson se i hedh poshtë akuzat e Ramës dhe Ballukut, ndërkohë që shprehet se kjo është një tentativë për të mbuluar vjedhjet dhe shpërdorimet financiare në “AlbControll”.
“Kreu i meduzës dhe ndrikull Grykësia ne vend te negociatave me punonjësit greviste te Albkontrollit, te cilin e kanë shkatërruar me vjedhje në tendera dhe prokurime, vazhdojnë avazin “Fajin e ka Saliu”! Stop censurës dhe terrorit psikologjik ndaj punonjësve në grevë.
Hedh poshtë me neveri akuzat banale te Kreut te Meduzës dhe Ndrikull Grykësi Ballukut, me të cilat kërkojnë të mbulojnë vjedhjet dhe shpërdorimet e mëdha me financat e “AlbControll”.
I bej thirrje Agjencisë Europiane te Aviacionit Civil, në të cilën “AlbControll” është i anëtarësuar, të nisë me përparësi inspektimin e kësaj ndërmarrje për të gjetur shkaqet që detyruan punonjësit e saj të shpallin greve”, thekson Berisha.
Por çfarë kërkoi avokati i kontrollorëve? “E para, e kemi thënë që në fillim që kjo nuk është një grevë. Është një detyrim ligjor. Në momentin që kontrollorët ndihen në kushtet e paaftësisë për të ushtruar detyrën, ky është një detyrim ligjor që ligji shqiptar e njeh. Ne jemi ende në pritje të zgjidhjes së situatës. Pika e parë që u diskutua në takim me ministren ishte se ata që janë larguar nga puna, duhet të rikthehen. Këta njerëz, që u është filluar procedura e largimit, nuk rezultojnë të jenë në turne”, u shpreh avokati Rezart Kthupi.